kosovaKosova feston ditëlindjen, përvjetorin e 8 të pavarësisë së Kosovës, që shënohet këtë 17 Shkurt, ka mbledhur në një ceremoni zyrtare festive krerët më të lartë të vendit, mes të cilëve Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, të cilët kanë mbajtur edhe nga një fjalim në sheshin qendror të Prishtinës, aty ku do të vijohej më pas me parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që në një të ardhme të afërt pret të kthehet në Forcë e Armatosur e Kosovës.

“8 vite që prej shpalljes së pavarësisë ne përkujtojmë idealet që na bashkojnë, përkushtimin për lirinë dhe për zhvillimin e vendit tonë. Për demokracinë që ndërtohet çdo ditë dhe njëkohësisht edhe për paqen. Këto janë parime që na përkufizojnë ne si komb, vlera që ngrihen çdo ditë bazuar mbi themelet e diversitetit kulturor, fetar dhe etnik, ndërsa kemi edhe aspirata për të qenë pjesë e botës së përparuar. Kosova është një realitet i pakthyeshëm, një paqe e fituar pas një lufte të rëndë, një liri për të cilën është sakrifikuar, një miqësi e përjetshme me SHBA-të, që na kanë qëndruar pranë në çdo kapitull të shtetndërtimit tonë. Kosova është vlerë e shtuar e stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajonin tonë, një forcë e pazëvendësueshme e fqinjësisë, garantuese e paqes për të gjithë, gjë që hap rrugën e integrimeve. Megjithatë jemi një demokraci ende e papërfunduar dhe e sfiduar. Na duhet më shumë forcë për të tejkaluar dallimet dhe më shumë guxim për t’u përballur me dëshpërimin. Shtetndërtimi kërkon punë të madhe për të dëshmuar se ligji dhe rendi janë themelet e shtetit tonë, ku secili është i barabartë para drejtësisë, dhe ku duhet t’i jepet fund mosndëshkimit të të gjithë atyre që janë fajtorë për gjendjen e rëndë në shoqëri. Me qëllimin për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë dhe më të ndryshme. Sot jemi në një ditë feste për të gjithë popullin, atyre që jetojnë brenda kufijve tanë por edhe për ata që e ndiejnë si shtet të tyrin kudo që jetojnë. Festë edhe për FSK-në, që prej shumë muajsh keni punuar për ndërtimin e një force të re mbrojtëse të vendit, Forca e Armatosur e Kosovës është e ardhmja juaj, jona e përbashkët dhe e ardhmja e shtetndërtimit të Kosovës”, është shprehur ndër të tjera Presidentja Atifete Jahjaga.

Loading...

“Sot shënojmë ditëlindjen e 8 të shtetit tonë, si festën më të madhe për çdo qytetar që e do vendin e tij, që i do flamurin e simbolet shtetërore, që respekton ndjenjën e të qenit të lirë dhe i pavarur në tokën e tij. Kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi e demokraci, ditë e përkujtimit të sakrificës së gjeneratave që u flijuan për këtë ide, tashmë realitet. Republika e Kosovës shënon pavarësinë në sheshin e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, gjithashtu pranë simbolit të Ibrahim Rugovës, që me hapin e tij simbolizon vizionin e ecjes përpara të këtij vendi, rrugëtimin e vështirë por të vendosur të popullit, miqësinë e përhershme me SHBA-të dhe rrugëtimin euroatlantik të Kosovës. Kjo ecje mbi vështirësitë ka një të ardhme të sigurtë. Jemi të lumtur se pavarësia e Kosovës tashmë është realitet, që e kanë pranuar 111 vende, ndër të cilat vendet më të fuqishme dhe më demokratike të globit. Jemi krenarë që Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, sukses i përbashkët i kosovarëve dhe aleatëve të tyre. Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës aleatëve perëndimorë për kontributin e tyre në lirinë dhe shtetndërtimin tonë. Në këto 17 vite liri dhe 8 vite pavarësi kemi bërë reforma të thella strukturore, kemi vënë bazat e tregtisë së lirë, kemi ndërtuar institucione sipas kritereve europiane dhe infrastrukturë bashkëkohore, si dhe kemi bërë hapa të vendosura drejt integrimit euroatlantik. Ka bërë edhe hapa drejt themelimit të ushtrisë së saj. Kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me BE-në, që i hap dyert për bashkëpunim ekonomik, për forcim të shtetit të së drejtësi, për thellim të bashkëpunimit rajonal dhe për avancimin e demokracisë. Ndryshimet e këtyre viteve janë arritje shekullore të këtij vendi”, tha në fjalën e tij kryeministri Isa Mustafa.

Menjëherë pas fjalimeve të krerëve më të lartë të vendit, në këtë ditë të shënuar, është vijuar me parakalimin e kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Loading...
Shperndaje voten tuaj!


Si ndjeheni pasi lexuat kete lajm?
  • Fascinated
  • Happy
  • Sad
  • Angry
  • Bored
  • Afraid