donald-luZgjodhi historinë e një nëne të cilës gjykatësi i korruptuar nga bashkëshorti i saj kriminel i “grabiti” padrejtësisht dy fëmijët, për të treguar nevojën imediate që ka sistemi i drejtësisë për tu reformuar.

Ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu, një nga zërat më të fortë kritik të gjyqësorit në Shqipëri, foli sërish hapur për korrupsionin në dyert e drejtësisë që sipas tij blihet nga politikanët, të pasurit e të fortët. “Korrupsioni në drejtësi i lejon gjyqtarët, politikanët të mbushin xhepat me para të pista”, tha kryediplomati.

Viktimat e vetme të gjyqtarëve të paaftë dhe të korruptuar që mendojnë vetëm sesi të rrisin stilin e jetesës luksoze – tha Lu – janë të varfrit, e kryesisht gratë. Kështu është edhe rasti i gruas që Lu përmendi në historinë e tij. Bashkëshorti i saj, një i dënuar për krime seksuale fitoi shtëpinë dhe kujdestarinë e fëmijëve gjatë procesit të divorcit, vetëm sepse mundi të korruptojë gjyqtarin që trajtoi çështjen e tyre.

“Një nga arsyet përse më intereson reforma në drejtësi është një histori për një grua shqiptare dhe se si një gjyqtar e privoi nga fëmijët. Gruaja ishte martuar me një burrë që e kishte rrahur për shumë vite. Ai ishte dënuar më parë për krime seksuale. Pas vitesh vuajtje gruaja gjeti kurajën ta linte bashkëshortin për sigurinë e fëmijëve. Kur shkoi në sistemin e drejtësisë për të kërkuar drejtësinë gjeti më shumë vuajte. Gjyqtari i dha një krimineli të dhunshëm seksual të dënuar më parë të gjithë pasurinë dhe kujdestarinë e fëmijëve të saj. Kjo i theu zemrën. Pse një gjyqtar do të vendoste në favor të një personi të tillë? Arsyeja është korrupsioni. Korrupsioni në drejtësi i lejon gjyqtarët, politikanët të mbushin xhepat me para të pista. Kjo shkatërron jetët e njerëzve normalë të ndershëm. Në një sistem të korruptuar viktimat janë shpesh gra, të pasurit dhe të fortët e blejnë drejtësinë, ndërsa të varfrit dhe ata pa pushtet politik janë viktimat. Sa herë ju vidhen të drejtat grave të pafajshme në Shqipëri nga gjyqtarë të korruptuar dhe të paaftë? Dhe sa kohë duhet të presim, që të pasurit dhe të fuqishmit të thonë se nuk janë ende të kënaqur me këtë reformë në drejtësi?”, u shpreh ambasadori Lu.

Gjatë një tryeze të fokusuar në çështjen e dhunës në familje, një plagë kjo në shoqërinë shqiptare, Lu tha reforma në drejtësi do të ndikojë në uljen e këtij fenomeni përmes dënimit të merituar të kujtdo që ngre dorë ndaj grave.

“Propozimi për reformën në drejtësi po i jep njerëzve shpresën se ndryshimi po vjen. Ky proces ka filluar tashmë. Kjo reformë i jep Shqipërisë mundësinë për të pastruar sistemin e drejtësisë nga ky kancer i korrupsionit dhe për të vendosur besimin e burrave dhe grave të zakonshëm se ata do të marrin drejtësi. U kërkoj gjyqtarëve të konsiderojnë gruan e ndershme që humbi fëmijët e saj, shtëpinë e saj dhe jetën e saj, sepse një gjyqtar i korruptuar vendosi se i duheshin më shumë për të financuar stilin e tij luksoz të jetesës”, tha Lu.

Loading...

Lu vlerësoi se draftropozimi i ekspertëve të nivelit të lartë për reformën në drejtësi është pozitiv dhe largon nga sistemi gjyqtarët e korruptuar, por theksoi se është e rëndësishme është që në këtë proces të kenë mundësinë e diskutimit edhe qytetarët shqiptarë.

“Ekspertët e SHBA u përfshinë në hartimin e 58 ndryshimeve kushtetuese, ndryshe nga propozimet e mëparshme ky propozim ofron një mekanizëm për të vlerësuar dhe larguar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë. Ai ristrukturon funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm për të nxitur më pak politizimin. Ne i përkrahim ata fuqimisht, por puna e vështirë nuk ka mbaruar. Është e rëndësishme që shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre të kenë mundësinë e diskutimit të kësaj reformë të rëndësishme. Kemi parë propozimin e Komisionit të Venezias dhe propozimi i tanishëm duhet të përfshijë ndryshime për të reflektuar idetë më të mira nga komisioni i Venezias, nga ekspertët e opozitës, gjyqtarët, prokurorë, dhe publiku i ndërgjegjshëm”, tha Lu.

Dhuna në familje, Majlinda Bregu: Bilanc lufte, drejtësi për të gjithë
Deputetja Majlinda Bregu ka deklaruar se, shifrat e rateve të dhunës në familjet shqiptare janë të ngjashme me ato të një vendi në luftë, duke shtuar se, Reforma në Drejtësi është hapi i parë për të mos i mohuar drejtësinë askujt.

Sipas Bregut duke qenë se fenomeni i dhunës me bazë gjinore është në nivele të larta, patjetër sistemi i drejtësisë ka nevojë urgjente për një “shkundje” pasi 3090 gra kanë rënë viktima të dhunës gjatë vitit të kaluar.

Ajo ka shtuar se, pavarësia ekonomike shpëton gratë nga dhuna.

Vasilika Hysi: Legjislacioni penal e civil ka nevjë për ndryshim
E pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe deputetja Vasilika Hysi, e cila ka theksuar se legjislacioni penal e civil ka nevojë për përmirësim, ndërkohë që dhuna me bazë gjinore duhet të adresohet në reformën që është duke u punuar për sistemin e Drejtësisë.

Sipas Hysit, qasja me bazë gjinore është për tu vlerësuar, pasi mbrojtja e viktimave paraqet shumë probleme ku dëmshpërblimi dhe kompensimi i viktimave mbetet në letër dhe nuk zbatohet.

Ajo ka shtuar se, ka pengesa për shkak të ligjeve dhe mos financimit të institucioneve të specializuara për të trajtuar gratë dhe vajzat e dhunuara.

Gratë dhunohen 2 herë, tha Hysi, një herë nga autori dhe një herë nga sistemi i drejtësisë.

Hysi ka propozuar ndryshime në ligj dhe qasje për përbërjen e institucioneve të drejtësisë, duke theksuar se ato kanë nevojë për përfaqësim më të madh për përfaqësim të gjinisë femërore, duke shtuar se ky përfaqësim duhet të jetë në vendimmarrjen dhe në drejtimin e tyre, pasi kështu mishërohen më mirë ligjet për barazinë gjinore.

Loading...
Shperndaje voten tuaj!


Si ndjeheni pasi lexuat kete lajm?
  • Fascinated
  • Happy
  • Sad
  • Angry
  • Bored
  • Afraid