ramaKryeministri Edi Rama tha këtë të premte se Shqipëria ja doli me sukses të përballojë krizën ekonomike në zonën e euros dhe kërcënimin grek, krizë që i imponoi vendit tonë të zbatonte politika të veçanta. Por kjo krizë sipas Ramës, nxorri në pah problemet e biznesit vendas.

Mungesa e një strukture të formalizuar – tha Rama – ka vënë edhe kreditimin në udhëkryq. “Bankat janë të gatshme me likuiditet – shtoi ai – por biznesi nuk është në lartësinë e sfidës e të qenit i strukturuar.

“Bizneset e prodhimit vendas faktikisht kriza i vendosi në dritë me të gjithë dobësinë e tyre si struktura të paformalizuara që nuk garantonin asnjë siguri për një vazhdim normal ambicioz të kreditimit të sektorit bankar. Sot jemi në kushtet kur me gjithë progresin e ndjeshëm të bërë në raport me kreditë e këqija, që për 7 vite rresht prekën tavanin e 7 përqindëshit, sot po prekim nivelin e poshtëm të 20 përqindëshit. Vihet re se për të shkuar më poshtë ka nevojë për një forcim strukturor të vetë bizneseve në Shqipëri, për një transformim të mentalitetit dhe mënyrës sesi bizneset janë të strukturuara dhe të gatshme për tu qasur bankave”, tha kreu i qeverisë.

Në këtë kushte – theksoi Rama – për të reformuar plotësisht bizneset duhet ende kohë, sakrificë dhe mbi të gjitha durim.

“Ne si qeveri mbështesim në vijimësi çdo përpjekje që do të çojë drejt uljes së nivelit të kredive të këqija. Njëkohësisht duhet të veprohet në mënyrë harmonike edhe nga faktorë të tjerë, nga ana e biznesit për të modernizuar e ristrukturuar në funksion të kërkesave të bankave kur vjen puna tek kreditimi. Reformat duan kohë dhe për të pasur rezultate të dukshme ka ende sakrifica, dhe për një nivel sfidues durimi në kohë. Kemi hapur një operacion në front të gjerë dhe besoj se jemi në kushtet kur operacioni vazhdon dhe pacientit nuk mund t’i kërkohet të vrapojë. Po krijojmë kushtet për të adresuar potencialet e larta të zhvillimit që ka vendi ynë. BSH vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm me sukses, vazhdon të mbetet një garante e fortë e një stabilitetit financiar që pavarësisht kërcënimeve ka rezultuar të jetë i qëndrueshëm, një pikë e besueshme referimi, gjë jo fort e shpeshtë në një vend si yni”, – tha Rama.

Sfida strukturore sipas Ramës, është përgjigjja për të sjellë rritjen ekonomike.

“Kriza nxiti zbatimin e disa praktikave të paprecedentë. Rënia e prodhimit nga kriza solli nevoja për politika fiskale të përmasave që deri para krizës as mund të mos imagjinoheshin. Rruga drejt integrimit ka kontribuar si një tërheqje unikale për të synuar reforma dhe transformime strukturore që pa këtë rrugë do të ishin të pasynueshme dhe madje do të dukeshin si të panevojshme. Por edhe për të krijuar bazën në legjislacion në funksion të një objektivi që është sa i vetëdijshëm aq edhe presion i pashmangshëm i procesit të integrimit që imponon globalizimi”, tha Rama.

Në konferencën vjetore të Bankës së Shqiëprisë, kryeministri tha se sfidën më të madhe përballë kësaj krize e patën vendet e Evropës Juglindore ku përfshihet edhe Shqipëria. Sipas Ramës vetëm një politikë e unifikuar ekonomike mes vendeve të Rajonit në funksion të integrimit të brendshëm të secilit vend do të sillte zhvillim më të gjerë.

Loading...

“Përballja me krizën e fundit vuri në provë vënien në punë të gjithë politikave për gjithë botën në vende të pasura ose të varfra. Sipas raportit të Bankës Botërore thuhet se ndoshta asnjë rajon në Evropë nuk është më i ndjeshëm ndaj krizës së euros sesa vendet e Evropës juglindore. Perspektivat e këtij rajoni varen nga faktorë të jashtëm. Pas një dekade me norma të larta të rritjes ekonomike rajoni u prek nga kriza ekonomike në zonën e euros dhe aktiviteti ekonomik vuan nga një kërkesë e dobët e brendshme, papunësi e lartë dhe sisteme bankare të ngarkuara me shumë kredi. Raporti i Bankës Botërore thotë se sfidat strukturore vazhdojnë të jenë përgjigjja për të gjetur rritjen në vendet e Evropës Juglindore dhe në këtë rreth vicioz qëndron një model i ri rritje bazuar tek integrimi ekonomik rajonal, ekonomi gjithëpërfshirëse dhe inteligjente përtej kufjeve që ndajnë sot vendet e rajonit duke i dënuar si ekonomi të vogla për të qenë të vetëmjaftueshme. Siç e tregon edhe kriza më e fundit e refugjatëve në për vetë natyrën kontaminuese që kanë të gjitha këto sfida”, – tha Rama.

Konferenca e mbajtur në Vjenë gushtin e vitit të kaluar, – tha kryeministri Rama – vuri gurin e parë të themelit të një politike të re bashkëpunimi rajonal në rrafshin ekonomik.

“Për herë të parë në konferencën e Vjenës gushtin e shkuar, vendet e këtij rajoni hodhën një hap të përbashkët për tu paraqitur me plane të përbashkëta në funksion të integrimit të brendshëm të ekonomive të tyre dhe integrimin me rajoni e gjerë evropian. Ky hap i parë është shprehje e vetëdijes që po formësohet në rajon se kjo është një situatë që nuk mund të përballohet në mënyrë të pjesshme dhe i izoluar nga tjetri, por edhe e bindjes që po krijohet në Bashkimin Evropian se problematikat e rajonit janë të lidhura me fatin e rajonit në tërësi dhe që në ecurinë e secilit prej vendeve tona ka shumë rëndësia ecuria e të gjitha vendeve së bashku. Në Shqipëri është një qasje e re për ta shndërruar këtë rajon në një destinacion tërheqës investimesh kur dikush merr hapin për të investuar investon në një ekonomi më të gjerë sesa ekonomia e secilit vend. Jemi të gjithë dëshmitarë të transformimit të jashtëzakonshëm që ka pasur në dy dekadat e fundit, rajoni dhe vetë Shqipëria”, – u shpreh shefi i mazhorancës.

Sipas Ramës, bujqësia dhe energjia janë dy prej sektorëve strategjikë me potencial për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndaj mbështetja e qeverisë në këto sektorë – shtoi Rama – është prioritet.

“Shqipëria ka hyrë në një proces rikonceptimi të modelit të vet të zhvillimi ekonomik dhe të transformimit të natyrës së ekonomisë së vet duke synuar një ekonomi që orientohet në mënyrë të qëndrueshme nga prodhimi vendas dhe eksporteve. Dy kanë sektorët më të vlerësuar si tërheqës për sektorin financiar, bujqësia dhe energjia elektrike. Pavarësisht ndryshimeve të mëdha strukturore në gjithë këto vite, bujqësia është sektori me kontributin më të madh në ekonominë vendase me 22 %. Ne jemi fokusuar në mbështetjen sistematike dhe agresive në rritje të zhvillimit të prodhimit dhe të formalizmit të bizneseve në sektorin bujqësor. Jemi në vigjilje të çeljes së një programi të ri për bujqësinë falë mbështetjes së BSH dhe të nivelit të dytë për të krijuar kushtet që duke filluar nga 2016 të krijojmë një akses më të gjerë në kreditim për investimet në bujqësi duke vendosur një fond garancie shtetërore për to”, – perfundoi kreu i qeverise.

Këto deklarata Rama i bëri gjatë konferencës vjetore të Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit me temë: A i ndryshoi kriza themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore”. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha në fjalën e tij se falë ndërhyrjes në kohë në sektorin bankar rreziqet nga kriza greke nuk u materializuan në vendin tonë.

“Vetëm vullneti për të marrë reforma të guximshme shihet si çelësi i suksesit”, tha Sejko. |shqiptarja|

Loading...
Shperndaje voten tuaj!


Si ndjeheni pasi lexuat kete lajm?
  • Fascinated
  • Happy
  • Sad
  • Angry
  • Bored
  • Afraid