lanaSituatë problematike është krijuar në mbarë vendin si pasojë e reshjeve të dendura të shiut. Ashtu siç është ishte parashikuar nga sinoptikanët, dita e sotme filloi me reshje të rrëmbyera shiu. Që në orët e para të mëngjesit u raportuan rrëshqitje të dherave në Pukë, duke shkaktuar bllokimin e disa akseve rrugore.

Lumi i Lanës raportohet se ka dalë nga shtrati në disa zona duke shkaktuar probleme. Vështirësi hasen edhe në qarkullimin e mjeteve.

Ndërkaq, disa fshatra në Fushë Bulqizë kanë mbetur të bllokuar, pasi përrenjtë e rrëmbyer kanë shkaktuar dëmtimin e rrugës.

Problemtatike situata paraqitet në Lezhë, pasi si pasojë e reshjeve të dendura janë përmbytur disa zona në Zejmen. Pritet ndërhyrja e forcave të ushtrisë për të normalizuar situatën.

E bllokuar është ura që lidh fshatrat Stojan-Ulëz, duke penguar kështu lëvizjen e qytetarëve.

PANARITI: HIDROVORET NË PUNË, KEMI MARRË MASA. SITUATA KRITIKE NË LEZHË
“Hidrovoret dhe kanalet e kullimit të ujit janë të gjitha në punë dhe situata është në kontroll sa i takon parandalimit të përmbytjeve nga reshjet e shiut”. Kështu deklaroi ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, në një komunikim për mediat për të bërë një bilanc të analizës së punës përgjatë vitit 2015 të institucionit që ai drejton.

Panariti theksoi se më problematike mbetet situata në Qarkun e Lezhës, pasi aty ka zona të përmbytura. Sipas ministrit shkak i krijimit të kësaj situate është bërë prerja pa kriter e pyjeve.

“Situata në sistemin e kullimit në Territorin e Shqipërisë është nën kontroll. Marr kontakte nga të gjithë bordet që jemi në terren. Hidrovorët punojnë dhe ka energji elektrike dhe ata po punojnë. Situata më kritike ndodhet në qarkun e Lezhës ku kemi prurja më të larta, i dhe për shkak të prerjes së pyjeve dhe fryrjes së përrenjve. Për këtë arsye përshëndes vendimin e Qeverisë shqiptare për moratorimun e ndaljes së prerjes së pyjeve. Por situata është nën kontroll.”, tha Panariti.

Nga ana tjetër Panariti garantoi se janë marrë të gjitha masat, ndërsa të gjitha bordet ndodhen në terren. Ai konfirmoi se pasi të mbaroj komunikimin me gazetarët do të niset për inspektim të situatës nga afër në Lezhë.

Sakaq, ai shtoi me ndarjen e re territoriale, bashkive u është dhënë në dispozicion 15 milionë lekë që kanë shkuar për kanalet kulluese, që t’ju paraprihen situatave të tilla siç janë përmbytjet.

13 FAMILJE TË PËRMBYTURA NË FSHATIN PLLAN, 3 EVAKUOHEN
Plot trembëdhjetë familje në fshatin Pllan të Lezhës janë përmbytur, ndërsa rrugët janë bllokuar. Rrëshqitja e dherave në këtë zonë kanë bllokuar rrugën e fshatit. Banorët kanë kërkuar ndihmë, dhe deri tani janë evakuuar vetëm 3 familje.

Nën ujë janë edhe dhjetëra hektarë tokë bujqësore.

SITUATA NGA MOTI I KEQ, MB: DO KETË RESHJE E SHTRËNGATA SHIU, JA ZONAT QË RREZIKOHEN
Dita e sotme filloi me reshje shiu, ashtu siç edhe ishte parashikuar nga sinoptikanët. Nisur nga kjo situatë Ministria e Punëve të Brendshme informon qytetarët se gjatë ditës së sotme, sipas buletineve meteorologjike, pritet të ketë një përkeqësim të ndjeshëm të motit, që do të shoqërohet me reshje dhe shtrëngata shiu me një intensitet të lartë, kryesisht në orët e pasdites. Rajonet që parashikohet të preken nga përkeqësimi i motit janë Shkodër, Lezhë, Dibër, Tiranë, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë ku në intervale kohore prej 2-3 orësh, do të ketë reshje shiu që mund të arrijnë në 30-40 mm.

Përveç rajoneve të përmendura, në lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit, pritet të ketë reshje bore gjithashtu të dendura.

Loading...

“Për këto arsye, Ministria e Punëve të Brendshme njofton çdo shtetas që t`u bindet lajmërimeve të strukturave të pushtetit vendor dhe qendror për të shmangur qarkullimet e panevojshme, si dhe të japin ndihmesën e tyre ndaj këtyre strukturave, ashtu siç parashikohet edhe në Ligjin nr. 8756, “Për Emergjencat Civile”. Gjithashtu bëjmë thirrje të minimizohen lëvizjet e panevojshme, kurse prindërit të shoqërojnë fëmijët në shkolla, kopshte e çerdhe, etj. Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masat e parashikuara për të tilla raste, duke ngritur Shtabet e Emergjencës në Prefektura e Bashki, për të vënë në gatishmëri të gjitha kapacitetet njerëzore e teknike operacionale që të reagojnë sipas situatës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Nisur nga kjo situatë, MPB theksoj se janë marrë masat që të jenë të gatshme për veprim gjithë strukturat operacionale të Emergjencave Civile si: Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, ARRSH, etj.

“Janë njoftuar të gjitha kompanitë që kanë detyrime kontraktore për mirëmbajtje dhe mirëfunksionimin e akseve rrugore kombëtare dhe rurale. U është kërkuar bordeve të kullimit dhe strukturave të hidrovorëve, si dhe OSHEE-së, të qëndrojnë në gatishmëri për të minimizuar pasojat që mund të shkaktohen nga reshjet e dendura”, thekson MPB.

Një ditë më parë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi për situatën si pasojë e reshjeve të parashikuara, si dhe njoftoi qytetarët që të shmangin lëvizjet nga ora 14:00 e deri në orët e mbrëmjes.

BLLOKOHEN DY FSHATRA NË FUSHË-BULQIZË NGA DËMTIMI I RRUGËS
Reshjet e rrëmbyera të shiut kanë shkaktuar fryrjen e përrenjve në Bulqizë, të cilët kanë dalë nga shtrati. Si pasojë është dëmtuar rruga në Fushë Bulqizë, duke bllokuar dy fshatra, Kocaj 1 dhe Kocaj 2.

Nga reshjet e dendura janë dëmtuar edhe dy banesa.

PROBLEMATIKE ZONA E ZADRIMËS DHE TOROVICËS, PREFEKTURA E LËZHËS: HIDROVORET PO PUNOJNË ME KAPACITET TË PLOTË
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona në Zadrime dhe Torovicë. Si pasojë e shirave të dendur rrezikohen të përmbyten disa banesa në fshatin Spiten në Lezhë.

Lidhur me situatën ka reaguar Prefektura e Lezhës, duke theksuar se deri më tani situata është nën kontroll, dhe po merren masat e nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.

Nga Prefektura e Lezhës sqarojnë se hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë.

PROBLEMET NË DISA AKSE RRUGORE NË PUKË, REAGON ARRSH
Aksi rrugor Fushë Arrëz-Gjegjan–Mirditë është bllokuar mëngjesin e sotëm si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Shkak janë bërë reshjet e shiut. Shembja masive e dheut, e ndodhur pranë tunelit të Gjegjanit, është për shkak për bllokimin e rrugës.

Ndërkaq, i bllokuar ka ngelur edhe aksi rrugor Qafë Qerret-Qelëz, nga rrëshqitjet e dherave në fshatin Dedaj.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar ARRSH, duke theksuar nga ky institucion u ndërhy në aksin Fushë Arrëz-Gjegjan-Mirditë.

INFORMACION I ARRSH MBI GJENDJEN E KALUESHMËRISË SË AKSEVE RRUGORE KOMBËTARE
Nga komunikimi me specialistët e Drejtorive të Rajoneve, Autoritetit Rrugor Shqiptar njofton se situata në akset kombëtare paraqitet si më poshtë:

Në Rajonin Verior Shkodër: Në akset e këtij Rajoni ka patur rënie gurësh e materialesh , si pasojë e rreshjeve. Në të gjithë akset janë në gadishmëri mjete dhe punëtore që po bëjnë pastrimin e tyre. Nuk ka probleme për qarkullimin deri tani.

Në Rajonin Qëndror Tiranë: Si pasoje e rreshjeve ka patur një dëmtim të rrugës tek Ura e Peshkatarit – Bërzhitë, deri në gjysmën e korsisë. Janë marrë masat me vendosjen e sinjalistikës përkatëse.

Edhe në aksin Qafë Priskë – Shëngjergj ka një dëmtim të mbrojtëses prej betoni të rrugës, që ka sjellë demtim të saj. Është ngritur grupi i punës për verifikimin në vend të situatës. Rekomandohet të bëhet kujdes në qarkullimin në akset që kanë probleme dhe të respektohet sinjalistika e vendosur.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Në akset e këtij Rajoni nuk ka probleme deri tani. Në gadishmëri janë mjete e punëtore sidomos në zonat e njohura të rrëshqitjeve, siç janë Shkalla e Zezë, Rapi i Kuqarit etj. Janë marrë masa që në këto zona të instalohen mjete dhe njerëz në gadishmëri. Në akset e Korçës nuk ka probleme për qarkullimin. Kontraktorët janë në gadishmëri.

|bw|

Loading...
Shperndaje voten tuaj!


Si ndjeheni pasi lexuat kete lajm?
  • Fascinated
  • Happy
  • Sad
  • Angry
  • Bored
  • Afraid