sirianeRefugjatët sirian që do të vijnë në Kosovë nuk do t’i kenë kushtet si bashkëkombësit e tyre që janë shpërngulur në Gjermani, Austri e vende tjera të Bashkimit Evropian. Për ushqim, Qeveria e Kosovës secilit do t’u jap nga 18 euro në muaj ndërsa strehimi i tyre pritet të bëhet në komunën e largët të Dragashit.

Kaq mund të ofroj vendi më i varfër në Evropë për 3000 refugjatët sirian të cilët presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka bërë kërkesë Qeverisë së Kosovës për t`i strehuar.

Gazeta Fjala ka nxjerrë një mesatare të çmimit për një muaj për refugjatë, bazuar në informatat e marra nga Shoqata “Nënë Tereza”, organizatë kjo që vazhdimisht është marrë me strehimin e njerëzve në nevojë.

Për një familje katër anëtarëshe refugjatësh për ushqim për një muaj Kosova jep 70 euro, sipas këtyre të dhënave.
Kjo shumë është dhënë zakonisht sipas përvojës që Zef Shala drejtori i organizatës “Nënë Tereza” ka pasur në strehimin e refugjatëve. “Për një familje 4 anëtarëshe ndahen 70 euro për një muaj, ku përfshihet ushqimi për tre vakte kurse për një anëtarë 18 euro”, tregon Shala për Gazetën Fjala. Bazuar në çmimet e tregut në Kosovë, 18 eurot e ndara shpenzohen vetëm në bukë dhe ujë, pa ngrënë asgjë tjetër.

Nga një matematikë e thjeshtë, për një bukë që kushton 0.30 euro për 30 ditë një person shpenzon 9 euro, edhe për një pije 0.30 euro që prapë kushton 9 euro për një muaj shpenzohen të tëra 18 eurot.

Nga po kjo llogaritje del se refugjatit, nuk do t`i mjaftonin parat e ndara që të mund të ketë gjellë, mish apo pemë. Në këtë mënyrë bazuar në të dhënat e organizatës “Nëna Tereza” dhe kërkesës së presidentes për strehim të 3 mijë refugjatëve, del se Kosova do të shpenzonte 54 mijë euro në muaj për ushqimin e tyre. Derisa strehimi, e nevojat e tjera elementare do ishin shtesë për buxhetin.

loading...

Zef Shala drejtor i organizatës “Nëna Tereza” tregon se përveç ushqimit e strehimit, veshmbathja, kontrollet mjekësore e shërbimet tjera bëhen në marrëveshje me vullnetarët, organizatat dhe institucionet tjera.
Sipas tij, duhet një mobilizim i përgjithshëm. Mirëpo tek kjo organizatë ende nuk është bërë ndonjë kërkesë zyrtare për ndihmë të refugjatëve sirian.

Megjithatë Shala ka dhënë edhe një version se ku do të mund të strehoheshin refugjatët.
Sipas tij komuna e Dragashit ofron kapacitet e nevojshme sa i përket banimit, pasi ka shumë shtëpi të cilat janë të pa banuara. Shala thotë se për dallim nga kryeqendra e Kosovës Prishtina dhe disa komuna tjera në Dragash në marrëveshje me pronarët e shtëpive do të mund të bëhej një zgjidhje e mirë. “Është një fshat ku ka shumë shtëpi po banorët jetojnë jashtë Kosovës”, tha ai.

Salim Jenuzi Kryetari i Dragashit i kontaktuar nga Gazeta Fjala tha se kjo komunë nuk do të jetë “jashtë” asaj çka vendoset në tërë vendin.
Mirëpo sipas tij është ende herët të japë një përgjigje e plotë se çfarë do të mund të ofronte komuna dhe qytetarët e saj. “Dragashi ka ndihmuar kur kanë pasur nevoje refugjatët nga Maqedonia, së bashku me gjithë banorët dhe organizatat e angazhuara. Mirëpo për momentin nuk kanë pasur ndonjë kërkesë zyrtare dhe se duhet të shihet çka saktësisht kërkohet”, tha Jenuzi.
Të kontaktuar zyrtarët e Kryqit të Kuq të Kosovës, kanë thënë se kjo organizatë nuk ka kapacitet për strehim të tyre, mirëpo sipas Antigona Sopjanit janë të gatshëm për asistim në rast se kërkohet ndihma e tyre. “Ne kemi kapacitet për të asistuar në rastet kur kërkohet nga ne, ne mund ta realizojmë pritjen, ndihmën e parë, ndihmë socio-psikologjike si dhe ngritjen e kampeve”, tha Sopjani.

Sopjani tregoj se ende nuk kanë pranuar zyrtarisht ndonjë ftesë për ndihmë të refugjatëve sirian.
Arbër Vllahiu këshilltarë për media në Presidencë tha se presidentja ka kërkuar që të bëhen vlerësimet e kapaciteteve, të resurseve, të mundësive dhe kufizimeve që ka Kosova në rastin e refugjatëve qe po ikin nga lufta në Siri. “Gjithsesi ka kërkuar që e gjithë kjo të bëhet edhe në konsulta me faktorin ndërkombëtar në Kosovë dhe njëkohësisht edhe duke marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Vllahiu.

Qeveria e Kosovës dhe zyra për Shtetësi, Azil dhe Migracion ende nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës se a ka kapacitet Kosova për mbajtjen e refugjatëve dhe sa kushton ndihma ndaj tyre. /Gazeta Fjala/

loading...
Shperndaje voten tuaj!


Si ndjeheni pasi lexuat kete lajm?
  • Fascinated
  • Happy
  • Sad
  • Angry
  • Bored
  • Afraid